“Tregoni kujdes” Shira të dendur dhe rrëshqitje dherash, Policia Rrugore apel shoferëve


Një apel i rëndësishëm vjen për të gjithë shoferët, të cilët do të arkullojnë në akse përgjatë reshjeve të dendura të shiut.

Uniformat blu këshillojnë që të tregohet kujdes, pasi në disa rrugë ka prezencë uji dhe rënie dheu e gurësh.

Drejtuesit e automjeteve duhet të qarkullojnë me shpejtësi të ulët për të shmangur kështu ndonjë aksident të mundshëm.

“Për shkak të motit të keq, ku në disa akse rrugore ka prezencë të ujit në rrugë, në disa segmente rurale ka rënie dheu e gurësh, ka vështirësi në fushëpamje përshkak të mjegullës, Shërbimet e Policisë Rrugore në bashkëpunim me Patrullat e Përgjithshme të Komisariateve të Policisë në qarqe, po marrin masa për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe vijueshmërinë e qarkullimit të automjeteve.

Policia Rrugore apelon për drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes, të qarkullojnë me shpejtësi të ulët, të vendosin rripin e sigurimit, të mos kryejnë për asnjë arsye parakalime të gabuara e manovra të rrezikshme në rrugë, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të tregohen të vëmendshëm dhe të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë dhe të autoriteteve të tjera shtetërore për rastet e bllokimit të rrugëve apo devijimin e lëvizjes.

Shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë në gadishmëri të plotë dhe prezent në të gjitha akset rrugore, për t’iu ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve në nevojë. Për çdo rast shërbimi i Policisë Rrugore është në gatishmëri për të siguruar rrjedhshmërinë e trafikut dhe dhënien e ndihmës automobilistike dhe në këtë kuadër Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në 112 e Komisariatin Dixhital çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor duke ju garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm”, shkruan policia në njoftimin zyrtar.