“Gënjeshtër” Basha i përgjigjet akuzave të Sali Berishës: Po pengohem të bëj punën time si kryetar


Pasi dha dëshminë e tij në Prokurori, lideri i PD Lulzim Basha iu përgjigj akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha për ekzistencës së një projekti për ndërtimin e kullave në vendin ku ndodhet selia blu.

Ai u shpreh se këto pretendime janë të pavërteta.

Sipas Bashës, Berisha dhe Rama mashtrojnë për të dobësuar opozitën, duke dëmtuar në këtë mënyrë interesin publik të shqiptarëve.

“Është një gënjeshtër shtesë dhe kjo i shërben Sali Berishës dhe Edi Ramës. Ata i shërbejnë njëri tjetrit në këtë situatë, Partia Demokratike dhe unë si kryetar i saj po pengohemi të bëjmë punën tonë.

Kushdo që ka dy pare mend në kokë e kupton se nga këto gënjeshtra fiton Edi Rama dhe Sali Berisha, dëmtohet Partia Demokratike dhe përmes saj interesi publik dhe interesi i shqiptarëve. Duhet sa më pak të merremi me të shkuarën dhe sa më shumë të inkurajojmë qytetarët të cilët janë shumica.

Këta duhet të jenë e shkuara, në mendjen time janë e shkuara. Në grupin parlamentar të partisë demokratike dhe në punën tonë janë hallet e shqiptarëve. Kemi një pakicë që do ta mbajë Shqipërinë kështu siç është dhe një shumicë që kërkon ndryshimin dhe përmirësimin e jetës së shqiptarëve”, tha Basha.